Guida per  Qytetarin

  Kategoria > Shendet dhe Mirqenje > Argumentat Relative > :

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

  | Flete Te Verdha Te Shqiperise | Albanian Yellow Pages | Copyright 1997-2007 | Tel +355 4 266023 | Fax +355 4 239523 | Customer Portal |                                                                       Welcome to ALBANIAN YELLOW PAGES, the Albanian business directory. ( Fletet e Verdha)

                                          Search for information (address, telephone/fax No., e-mail) on a supplier or service provider in Albania.

              

                  | Albanian Hotels | Albanian White Pages| Albanian Map Directory | Travel in Albania | Home Page | InternationalDirectories|

                             |Albanian Superpages| Albanian Pages| Albanian Telephonebook| Albanian Business DirectoryTrademark Flete te Verdha |

                 

 

 

 

 

S T A T U T I

I

URDHRIT TE FARMACISTËVE

TE SHQIPËRISE

 

 

KREU I PARE

PARIME TË PERGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi

 

Statuti i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë (më poshtë Statuti) ka për qëllim rregullimin normativ të të gjithë veprimtarisë së Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë (më poshtë Urdhri) dhe organeve të tij.

 

 

Neni 2

Baza Ligjore

 

Urdhri i Farmacistëve është krijuar në bazë të ligjit nr.9150, datë 30.10.2003 ”Për Urdhrin e Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë “.

 

 

Neni 3

Përcaktimi

 

Ligji  nr.9150, datë 30.10.2003 ”Për Urdhrin e Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë” e përcakton Urdhrin si ENT PUBLIK, i cili përbëhet nga individët që ushtrojnë profesionin e farmacistit në Republikën e Shqipërisë dhe përfaqëson interesat e tyre profesionale në nivel partneriteti institucional.

Sipas ligjit nr.8480, datë 27.5.1999 ”Për funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”, me Ent Publik do të kuptohet çdo subjekt i së drejtës publike, jo shtetëror, i krijuar me ligj dhe që synon realizimin e një interesi publik.

 

 

Neni 4

Natyra

 

UFSH-ja është person juridik i pavarur, krejtësisht profesional, i shoqërisë civile. Ai është i depolitizuar, i hapur dhe i barabartë për të gjithë anëtarët, pavarësisht nga përkatësitë e tyre racore, fetare, apo bindjet politike.

Është kategorikisht e ndaluar që në organet e strukturat e të gjitha niveleve të Urdhrit, gjatë veprimtarisë së tyre, të diskutohen apo reflektohen dukuri a probleme të karakterit politik, partiak, racor, etnik e fetar.

 

Neni 5

Përbërja

 

Urdhri i Farmacistëve përbëhet nga farmacistët që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë dhe që përmbushin kushtet për të qënë anëtarë sipas Ligjit “Për Urdhrin e Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë”.

Anëtarë të Urdhrit të Farmacistëve bëhen individët, shtetas shqiptarë, të diplomuar farmacistë në Republikën e Shqipërisë ose jashtë saj, që pranojnë Kodin Deontologjik Farmaceutik Shqiptar dhe që ushtrojnë këtë profesion në sektorin e prodhimit farmaceutik, të shërbimit dhe të shpërndarjes farmaceutike, në sektorin ambulator e spitalor, publik e privat, ose në sektorë të tjerë të shëndetësise.

Përjashtohen nga ky detyrim, por jo nga e drejta e anëtarësimit në Urdhër, farmacistët funksionarë të administratës publike, për sa kohë që ata nuk ushtrojnë veprimtari të mirëfilltë profesionale farmaceutike.

Anëtarë nderi të UFSH-së mund të shpallen personalitete të shquara farmaceutike, vendase ose të huaja, për kontribute të rëndësishme të veçanta në farmaceutikë.

Ndihmësfarmacistët e diplomuar në shkollat e mesme profesionale të njohura nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe nga Ministria e Shëndetësisë, që aktualisht janë pajisur me leje nga Ministria e Shëndetësisë për të punuar në agjenci farmaceutike apo janë regjistruar pranë QKKB dhe punojnë në farmaci në prani të farmacistit, nuk mund të jenë anëtarë të këtij Urdheri. Ata regjistrohen në një regjistër të veçantë dhe, gjatë ushtrimit të profesionit, janë të detyruar t’u nënshtrohen detyrimeve ligjore, Statutit dhe Kodit të Deontologjisë Farmaceutike dhe akteve të tjera të cilave u nënshtrohen farmacistët.

 

Neni 6

Parakushte për ushtrimin e profesionit

 

Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e farmacistit në Republikën e Shqipërisë pa qënë anëtar i Urdhrit të Farmacistëve.

Punëdhënësit në institucionet a ndërmarrjet shtetërore ose publike  dhe në subjektet private, ndalohen t’i punësojnë ata në kundërshtim me këtë dispozitë.

Shtetasit e huaj, për ushtrimin e profesionit të farmacistit në sektorin farmaceutik të Repulikës së Shqipërisë, janë të detyruar të anëtarësohen në Urdhrin e Farmacistëve, të njohin dhe të zbatojnë Kodin e Deontologjisë Farmaceutike Shqiptare, si dhe të gjitha aktet ligjore e nënligjore që rregullojnë shërbimin farmaceutik dhe atë shëndetësor në Republikën e Shqipërisë.

Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Farmacistëve përcakton kriteret për pranimin e farmacistëve në këtë Urdhër.

 

 

Neni 7

Misioni dhe funksionet kryesore të Udhërit

 

Misioni i Urdhrit të Farmacistëve është ruajtja dhe garantimi me nivel të lartë i formimit dhe i edukimit shkencor e profesional të farmacistëve, ushtrimi i profesionit sipas kërkesave shkencore, të normave të etikës farmaceutike e të Kodit të Deontologjisë Farmaceutike Shqiptare dhe mbrojtja e pacientëve dhe e konsumatorëve nga kequshtrimet profesionale dhe shkeljet e normave të detyrueshme.

Në përmbushje të këtij misioni, Urdhri i Farmacistëve:

  • Kryen regjistrimin e farmacistëve në një regjistër të veçantë, sipas modelit të përcaktuar nga këshilli kombëtar.

  • Mbikëqyr zbatimin e detyrave profesionale në përputhje me Kodin e Deontologjisë Farmaceutike, kërkesat shkencore farmaceutike dhe legjislacionin farmaceutik.

  • Bashkëpunon me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, Fakultetin e Mjekësisë, si dhe me institucione të tjera arsimore e shkencore për hartimin dhe planifikimin e programeve të formimit shkencor, të specializimit pasuniversitar dhe të kualifikimit të vazhdueshëm të farmacistëve.

  • Mbikëqyr zbatimin e kërkesave të Kodit Deontologjik Farmaceutik, në mbrojtje të interesave të  pacientëve dhe të konsumatorëve.

  • Jep dhe heq të drejtën vetjake për ushtrimin e profesionit, sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli Kombëtar.

  • Mbikëqyr respektimin e të drejtave dhe detyrave të personave, që ushtrojnë profesionin e farmacistit në Republikën e Shqipërise, sipas rregullave të Kodit të Deontologjisë Farmaceutike Shqiptare, për mbrojtjen e popullatës nga kequshtrimi i profesionit dhe cënimet e etikës farmaceutike, si dhe nga veprimet e tjera që privojnë kujdesin e nevojshëm farmaceutik.

  • Mbron farmacistët nga veprimet arbitrare të administratës publike ose private për ushtrimin e profesionit, sipas legjislacionit në fuqi.

 

 

Neni 8

Marrëdheniet e Urdhrit

 

Urdhri i Farmacistëve si institucion, gjatë kryerjes së detyrave mban lidhje, sipas përkatësisë, me  Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, institucionet e tyre të vartësisë, me institucione të tjera  shtetërore, si dhe me institucione e organizma publike e jopublike, në nivel qendror e vendor.

Urdhri i Farmacistëve merr pjesë në hartimin e projektligjeve, të projektvendimeve dhe të dokumenteve të tjera të faramaceutikës shqiptare.

Marrëdhëniet me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, si i vetmi blerës shërbimi, konkretizohen nëpërmjet hartimit të kontratave.

 

KREU I DYTË

 

Pjesa e parë

Anëtarësimi dhe rianëtarësimi

 

 

Neni 9

Anëtarësimi

 

Anëtarësimi në Urdhrin e Farmacistëve kërkon që farmacisti:

 

1.      Të jetë shtetas shqiptar. Për shtetasit e huaj zbatohet kërkesa e paragrafit 3, neni 6, të këtij statuti.

2.      Të ketë diplomën e farmacistit  të lëshuar nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të  Tiranës ose nga universitete të tjera të vendit të njohura nga Ministria  e Arsimit dhe e Shkencës, ose nga universitete jashtë shtetit, të njësuara nga institucioni përkatës në vendin tonë, i parashikuar me ligj, po kështu edhe për specializimet apo çertefikatat e marra jashtë shtetit.

3.      Në momentin e kërkesës për anëtarësim, të mos jetë  në ndjekje penale ose vuajtje të dënimit për çështje të papajtueshme me normat etiko-morale të profesionit dhe të Kodit të Deontologjisë Farmaceutike. Në rast se kandidati është në ndjekje penale, anëtarësimi i tij shqyrtohet pas vendimit te organit juridik që e ndjek.

4.      Të njohë dhe të zotohet me shkrim se do të zbatojë kërkesat e legjislacionit në fuqi dhe të Kodit të Deontologjisë Farmaceutike.

5.      Të paguajë rregullisht kuotizacionin e anëtarësisë.

6.      Farmacisti i huaj që ushtron profesionin në Shqipëri duhet edhe:

a)      Të jetë anëtar i organizmit relativ me UFSH-në në vendin e tij, ose ku ka ushtruar së fundi profesionin;

b)      Të rekomandohet me shkrim nga një anëtar shqiptar i Urdhrit të Farmacistëve.

c)      Të zotërojë paraprakisht, një minimum të fjalorit të shqipes.

Për ushtrimin e veprimtarisë farmaceutike private, të vendit apo të huaj, kërkohet vendimi i gjykates si person juridik ose fizik në mënyrë që farmacisti të lejohet të punojë.

 

Neni 10

Çertifikata e Anëtarësimit dhe dokumentet e kërkuara

 

Çertifikata e Anëtarësimit është individuale dhe jepet sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Farmacistëve.

Me Çertifikatën  e Anëtarësimit pajiset çdo farmacist i  regjistruar në Urdhrin e Farmacistëve dhe çdo ndihmësfarmacist  i diplomuar në shkollat e mesme profesionale të njohura nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe nga Ministria e Shëndetësisë, dhe i licensuar nga Ministria e Shëndetësisë ose i regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave para muajit maj të vitit 2006. Këta ndihmësfarmacistë duhet të jenë detyrimisht të regjistruar në regjistrin e posaçëm për ndihmësfarmacistët të Urdhrit të Farmacistëve.

Çertifikata e Anëtarësimit jepet për një periudhë pesë vjeçare. Kjo çertifikatë jepet në dy kopje ndër të cilat njëra dërgohet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe tjetra qëndron e varur në farmaci.

 

I interesuari duhet të paraqesë këto dokumente:

1. Kërkesë për anëtarësim. Në kërkesë të thuhet shprehimisht se kërkuesi zotohet

të zbatojë Statutin e UFSH-së, Betimin e Hipokratit dhe Kodin Deontologjik Farmaceutik.

2. Vetëdeklarim  me shkrim, me anë të së cilit merr përsipër kryerjen me përgjegjësi dhe aftësi profesionale vetëm të specialitetit për të cilin është diplomuar dhe pagesën e rregullt të kuotës së anëtarësimit.

3. Fotokopje të noterizuar të  diplomës, të listës së notave, të dëshmive për tituj e grada shkencore dhe/ose dokumente për specializime, kualifikime e profilizime të kryera.

4. Katër copë fotografi 3 x 4 cm.

 

Neni 11

Rianëtarësimi

 

Farmacistët të cilët nuk e kanë ushtruar  profesionin e tyre për një periudhë mbi 5 vjet për arsye të ndryshme, që të regjistrohen a riregjistrohen për ushtrim profesioni, do t’i nënshtrohen një rikualifikimi dhe testimi. Programi dhe modalitetet përcaktohen bashkërisht nga organet përkatëse të Urdhrit me Fakultetin e Mjekësisë.

 

Neni 12

Mënyra e anëtarësimit

 

Anëtarësimi dhe rianëtarësimi në Urdhrin e Farmacistëve bëhet me vendim të posaçëm të Komisionit të Regjistrimit të Këshillit Rajonal. Vendimi është individual. Për sa kohë që Komisioni i Regjistrimit nuk është krijuar, anëtarësimi bëhet nga presidenti dhe sekretari rajonal. Vendimi për anëtarësim bëhet brenda një muaji nga dorëzimi i kërkesës.

Këshilli Rajonal, në çdo mbledhje të tij, ratifikon anëtarësimet e reja. Nga ky moment kërkuesi regjistrohet në regjistrin  e Urdhrit dhe pajiset me kartën e anëtarësisë.

 

 

Neni 13

Pagesa për anëtarësim

 

Për veprimet e kryera për anëtarësim e regjistrim, kërkuesi paguan tarifën, e cila përcaktohet me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit. Për subjektet private të vendit dhe ato të huaja, Këshilli Kombëtar vendos tarifa të veçanta, që derdhen në arkën e këtij Këshilli.

 

 

Neni 14

Ankimi për refuzimin e anëtarësimit

 

Ndaj vendimit që refuzon kërkesën për anëtarësim e regjistrim, kërkuesi ka të drejtë të ankohet pranë Këshillit Kombëtar jo më vonë se 30 ditë nga dita e shpalljes dhe e marrjes së njoftimit për vendimin. Komisioni apo organi  përkatës i Këshillit Kombëtar e shqyrton atë jo më vonë se 2 muaj nga paraqitja e ankesës.

Ky vendim është i formës së prerë.

Kërkuesi ka të drejtë t’i drejtohet rajonit përsëri me kërkesë vetëm  6 muaj pas përgjigjes negative të Këshillit Kombëtar dhe vetëm nëse ka plotësuar kushtet penguese, që i lejojnë pranimin.

  

Neni 15

Farmacistët në pension

 

Farmacistët pensionistë që nuk ushtrojnë profesionin, njihen si anëtarë të Urdhrit pa qënë të detyruar të paguajnë kuotizacionin e anëtarësisë. Kur ata punësohen ose vetëpunësohen, detyrohen të paguajnë edhe kuotizacionin e Urdhrit. Farmacistët që nuk ushtrojnë profesionin, sepse vuajnë nga një sëmundje invalidizuese që nuk pajtohet me kushtet e kërkuara nga ky  profesion dhe/ose i bën të rrezikshëm për popullatën, mbeten anëtarë të Urdhrit si pensionistët.

 

 

Neni 16

Ndërprerja e anëtarësimit

 

Anëtarësimi në Urdhër pushon së qëni në këto raste:

 

1.       Me vdekjen e anëtarit.

2.       Kur anëtarit i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit me vendim disiplinor të formës së prerë nga organet e Urdhrit apo Gjykatës.

3.       Kur farmacistët janë duke vuajtur dënimin penal me heqje të lirisë për krime që bien ndesh me profesionin. Vendimi për çregjistrim i komunikohet zyrtarisht personit, institucionit ku ka shërbyer dhe, kur gjykohet me vend, iu bëhet e ditur të gjithë farmacistëve dhe institucioneve të tjera shëndetësore me anë të një qarkoreje.

Anëtarësimi nuk pushon kur anëtari kryen kurse kualifikimi apo specializimi brenda dhe jashtë shtetit, duke marrë paraprakisht miratimin e UFSH-së.

 

Neni 17

Leja e ushtrimit të profesionit

 

Leja e ushtrimit të profesionit është individuale dhe jepet sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Farmacistëve.

Me lejen e ushtrimit të profesionit pajiset çdo farmacist i  regjistruar në Urdhrin e Farmacistëve dhe çdo ndihmësfarmacist  i diplomuar në shkollat e mesme profesionale të njohura nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe nga Ministria e Shëndetësisë, dhe i licensuar nga Ministria e Shëndetësisë ose i regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave para muajit maj të vitit 2006. Këta ndihmësfarmacistë duhet të jenë detyrimisht të regjistruar në regjistrin e posaçëm për ndihmësfarmacistët të Urdhrit të Farmacistëve.

Leja e ushtrimit të profesionit jepet për një periudhë pesë vjeçare dhe rinovimi i saj bëhet mbi bazën e kualifikimeve dhe testimit professional. Komisioni i testimit profesional zgjidhet nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të farmacistëve.

 

Neni 18

Kriteret për dhënien e Lejes së ushtrimit të profesionit

 

1.      Për farmacistët

a)      Vetëdeklarim

b)      Fotokopje e diplomës

c)      2 copë fotografi 3 x 4 cm

Për farmacistët drejtues teknik kërkohet dhe një fotokopje e licensës së Ministrisë së Shëndetësisë.

 

2.                  Ndihmësfarmacistët

a)      Vetëdeklarim

b)      Fotokopje e diplomës së shkollës së mesme profesionale

c)      2 copë fotografi 3 x 4 cm

Për ndihmësfarmacistët drejtues teknik në agjenci farmaceutike kërkohet dhe një fotokopje e licensës së Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Pjesa e dytë

Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve

 

Neni 19

Të drejtat

 

Anëtari i Urdhrit të Farmacistëve ka të drejtë:

 

1.       Të ushtrojë profesionin në specialitetin e vet në përputhje me legjislacionin në fuqi, me normat e etikës  dhe Kodit të Deontologjisë Farmaceutike.

2.       Të kërkojë mbrojtje nga Urdhri i Farmacistëve për shkeljen e të drejtave të tij profesionale dhe të Kodit Deontologjik  nga cilido qoftë.

3.       Të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet e Urdhrit.

4.       Të marrë pjesë në shqyrtimin nga organizmat e Urdhrit për probleme që kanë të bëjnë me të.

5.       Të apelojë vendime të Urdhrit, kur gjykon se ato janë të padrejta.

 

Neni 20

Detyrat

 

Anëtari i Urdhrit të Farmacistëve  ka detyrë:

 

1.       Të respektojë normat, ligjet dhe rregullat në fuqi në lidhje me ushtrimin e profesionit sipas kerkesave të shkencave farmaceutike e mjekësore, të normave të Etikës dhe të Kodit të Deontologjisë Farmaceutike.

2.       Të punojë vazhdimisht për rritjen e standarteve të tij profesionale dhe në përputhje me të gjitha normat, të kërkojë të zbatohen arritjet bashkëkohore në ushtrimin e profesionit të farmacistit prej tij dhe kolegëve të vet.

3.       Të shlyejë në çdo kohë kuotizacionin e anëtarit dhe çdo detyrim tjetër financiar ndaj Urdhrit.

4.       Të zbatojë të gjitha vendimet e marra nga Këshilli Kombëtar për probleme të paparashikuara dhe që janë bërë shqetësim i shumicës së farmacistëve.

Në rast shkeljeje të këtyre vendimeve, është i detyruar t’u nënshtrohet masave disiplinore të përshkallëzuara, sipas rregullores së disiplinës.

5.       Të ketë në vendin e tij të punës literarurën themelore farmaceutike, në bazë të listës së dërguar nga UFSH-ja, revistën “Farmacisti”, në të cilën është i detyruar të abonohet, aktet ligjore e normative që rregullojnë ecurinë normale të punës në farmaci, si dhe çdo dokument që vjen ose botohet nga USHF-ja, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet me të cilat ka lidhje.

 

KREU I TRETË

 

ORGANIZIMI DHE DREJTIMI

 

Pjesa e parë

Organet e Urdhrit

 

Neni 21

Organet

 

Organet kryesore të Urdhrit të Farmacistëve janë:

 

a)      Asambletë e Urdhrit.

b)      Këshillat e Urdhrit.

c)      Komisionet Disiplinore.

d)      Komisioni Kombëtar i Regjistrimit dhe i dhënies të së drejtës të Ushtrimit të Profesionit.

e)      Komisione apo grupe pune të përhershme ose të përkohshme të ngritura me vendim të Këshillit Kombëtar në përputhje me nevojat e Urdhrit në dinamikë.

 

Neni 22

Asmbletë dhe këshillat

 

Asambleja e Përgjithshme përbëhet nga tërësia e anëtarëve të Këshillave Rajonale.

Asambleja e Përgjithshme zgjedh Presidentin dhe zëvendësin e tij me një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje.

Asambleja e Përgjithshme zgjedh Këshillin Kombëtar. Zgjedhjet për Këshillin Kombëtar bëhen çdo 4 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Mbledhja e Asamblesë thirret nga Presidenti si dhe kur kërkohet nga 2/3 e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Asambleja Rajonale përbëhet nga tërësia e anëtarëve të Urdhrit të Rajonit (qarkut). Asambleja Rajonale zgjedh Këshillin Rajonal, Zgjedhjet e Këshillit Rajonal bëhen çdo 4 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Këshilli zgjedh Presidentin dhe zëvendësin e tij. Asambleja thirret nga presidenti i Këshillit Rajonal dhe, në raste të jashtëzakonshme, me kerkesën e 2/3 të anëtarëve të Këshillit Rajonal. Në këto raste mbledhja bëhet pasi merret paraprakisht miratimi i Presidentit të Këshillit Kombëtar.

Asambleja thirret drejtpërdrejt nga Presidenti i Këshillit Kombëtar kur vendoset në Këshillin Kmbëtar.

 

 

Neni 23

Këshilli Kombëtar dhe drejtimi i tij

 

Këshilli Kombëtar përbëhet nga:

 

1.Anëtarë të zgjedhur nga Asambleja; Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, zëvendësi i tij dhe presidentët e Këshillave Rajonale.

2.Nga një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore dhe Fakulteti i Mjekësisë, me të drejtë vote këshillimore.

3.Anëtarë të kooptuar nga vetë Këshilli për zëvendësim levizjesh të mundëshme të anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Për mbarëvajtjen e Urdhrit në përmbushjen e misionit dhe të funksionneve të tij, në Këshill mund të zgjidhen edhe përfaqësues nga publiku me të drejtë vote këshillimore.

Rastet e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar parashikohen  në nenin 29 të këtij statuti.

Ky këshill emëron dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm.

Këshilli Kombëtar mblidhet jo më pak se 4 herë në vit. Këshilli thirret nga Presidenti, zëvendësi i tij kur ai mungon, si dhe me kërkesën e 1/3 së anëtarëve me votë vendimore.

Për të organizuar dhe drejtuar veprimtarinë e Këshillit Kombëtar dhe të gjitha strukturave të tjera të Urdhrit, pranë Këshillit Kombëtar funksionon Aparati Qendror Ekzekutiv dhe Bordi Drejtues i tij.

Këshilli Kombëtar merr vendime, me shumicë votash, kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij.

 

Neni 24

Detyrat e Këshillit Kombëtar

 

Harton dhe miraton Kodin e Deontologjisë Farmaceutike dhe organizon mbikëqyrjen dhe zbatimin e tij.

Këshilli Kombëtar udhëheq të gjithë veprimtarinë e Urdhrit të Farmacistëve. Për përmbushjen e misionit të tij, përveç detyrave të specifikuara në nene të veçanta të këtij Statuti, Këshilli:

1.       Harton dhe miraton Statutin, strategjitë e zhvillimit të Urdhrit, rregulloret e funksionimit të këshillave dhe organizmave vartëse.

2.       Harton dhe miraton Kodin e Deontologjisë Farmaceutike dhe organizon mbikëqyrjen dhe zbatimin e tij.

3.       Përcakton dhe miraton strukturën organizative të Këshillit Kombëtar dhe  të Këshillave Rajonale.

4.       Cakton kuotizacionin, tarifën e regjistrimit dhe çdo lloj tarife tjeter që lidhet me funksionimin e këtij organi.

5.       Miraton buxhetin dhe administrimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme te Urdhrit të Farmacistëve në nivel kombëtar dhe rajonal.

6.       Mbikëqyr të gjitha veprimtaritë dhe administrimin e organeve që varen prej tij.

7.       Miraton veprimtarinë kombëtare  kryesore për njohjen dhe ndërgjegjësimin e të gjithë farmacistëve me aktet normative, misionin, synimet, funksionet dhe detyrat e Urdhrit.

8.       Mbikëqyr dhe ndërhyn në rregullimin e marrëdhënieve të punës së farmacistëve dhe të subjekteve të tyre private me Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Drejtorinë Rajonale e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

9.       Nëpërmjet ndërgjegjësimit të të gjithë anëtarëve te vet ndërgjegjëson dhe informon opinionin publik për misionin dhe funksionet e Urdhrit, si dhe deklaron pozicionet e tij  për probleme dhe situata të veçanta farmaceutike me interes publik.

 

Me anë të strukturave të tij të zgjedhura apo të emëruara të Aparatit Qendror Ekzekutiv:

 

10.   Miraton pagat, kuotizacionet, kuotat e honorareve, tarifat e regjistrimit, të licensimit dhe rilicensimit profesional, si dhe tarifa të tjera që lidhen me funksionimin e tij.

11.   Organizon dhe mbikëqyr procesin e regjistrimit dhe mban të azhornuar Regjistrin e Farmacistëve në nivel kombëtar.

12.   Organizon dhe mbikëqyr veprimtaritë për licensimin profesional periodik të farmacistëve;

13.   Koordinon bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e nevojshëm me organizmat përkatëse për ruajtjen e standarteve të larta në përgatitjen  e farmacistëve, në përzgjedhjen dhe specializimin e tyre, në ushtrimin e profesionit, si dhe për kualifikimin e vazhdueshëm profesional të tyre.

14.   Zgjedh, sipas kritereve më të specifikuara, Komisionin Disiplinor Kombëtar dhe komisionet apo grupet e tjera të punës me karakter kombëtar të përhershëm dhe kontrollon periodikisht veprimtarinë e tyre.

15.   Me strukturat e tij organizon sipas përkatësive dhe specifikave të veçanta bashkëpunimin me organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare të vendit dhe të huaja.

16.   Organizon kualifikimin e veçantë për anëtarët dhe pjestarët e srukturave të Urdhrit si dhe botimet e nevojshme.

17.   Bën propozime për projektligje dhe projektvendime, që i konsideron të domosdoshme për përmirësimin e standarteve.

18.   Bën propozime për dekorime dhe vendos për vlerësime të ndryshme etj.

19.   Mban marrëdhënie me organizma analoge të huaja dhe ratifikon marrëveshje dhe protokolle bashkëpunumi.

 

Neni 25

Bordi Drejtues i Aparatit Qendror Ekzekutiv

 

Bordi Drejtues drejtohet nga Presidenti i Këshillit Kombëtar dhe përbëhet nga Sekretari i Përgjithshëm, shefi i sektorit ekonomiko – financiar, juristi dhe farmacisti.

Ai është organ ekzekutiv, i cili organizon, kontrollon e mbikëqyr zbatimin e vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme, Këshillit Kombëtar dhe të urdhëresave dhe udhëzimeve të Presidendit të Këshillit Kombëtar. Me anë të komisioneve, grupeve të veçanta të punës dhe konsultave të specializuara të aparatit, ai mbikëqyr e kujdeset për zbatimin me përpikmëri të Ligjit, Statutit e rregulloreve në të gjitha strukturat e Urdhrit.

 

Bordi Drejtues:

 

1.       Organizon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e aparatit qendror të Urdhrit;

2.       Harton dhe i paraqit për miratim Këshillit Kombëtar:

 

·         Objektiva dhe strategji për zhvillimin e UFSH-së, si dhe projektvendime dhe çështje të tjera për shqyrtim.

·         Bilancin e veprimtarisë ekonomiko-financiare të Urdhrit;

·         Projektbuxhetin e vitit financiar pasardhës,  të ndarë sipas zërave dhe për çdo rajon.

·         Projektrregullore për veprimtarinë e strukturave dhe të organeve të Urdhrit.

 

3.       Përcakton deklarimin e pozicioneve të Urdhrit për probleme të veçanta me interes publik.

4.       Mbikëqyr, kontrollon, analizon dhe ndihmon veprimtaritë e këshillave rajonale dhe strukturave të tjera të Urdhrit.

 

Neni 26

Presidenti i Këshillit Kombëtar

 

Presidenti i Këshillit Kombëtar zgjidhet dhe shkarkohet me votim të fshehtë nga Asambleja e Përgjithshme. Për zgjedhjen e Presidentit paraqiten për votim 2 ose më shumë kandidatura sipas kritereve të përcaktuara në nenin 28 të Statutit.

 

Presidenti i Këshillit Kombëtar ka këto detyra e kompetenca:

 

1.       Udhëheq dhe mbikëqyr të gjithë veprimtaritë e Urdhrit.

2.       Nxjerr urdhëresa e udhezime për mbarëvajtjen e punës.

3.       Miraton propozimet e Bordit Drejtues.

4.       Thërret mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme, të Këshillit Kombëtar dhe të Bordit Drejtues.

5.       Kërkon sipas rastit mbledhjet e asambleve apo këshillave rajonale.

6.       Përfaqëson Këshillin Kombëtar në marrëdhënie me organe dhe organizma qeveritare dhe jo qeveritare brenda dhe jashtë vendit. Sipas rastit ia delegon këto kompetenca zëvendësit ose Sekretarit të Përgjithshëm.

7.       Ndërmerr nisma propozimi në organe ligjvënëse e vendim-marrëse për dokumente të rëndësishme për farmaceutikën shqiptare në bashkëpunim me autoritet përkatëse.

8.       Propozon në stukturat e Urdhrit sipas përkatësisë dhe rëndësisë së problemit, kandidatura për t’u zgjedhur, kooptuar ose shkarkuar në organet e Urdhrit si dhe për dekorime, vlerësime, shpërblime, ndihma etj.

9.       I autorizon të drejtën e nënshkrimit për Urdhrin, zëvendësit të tij dhe në raste të veçanta Sekretarit të Përgjithdhëm.

10.   Vetë dhe me propozim të Bordit drejtues, emëron dhe shkarkon punonjësit e aparatit që nuk janë të zgjedhur.

 

Neni 27

Sekretari i Përgjithshëm

 

Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjësi kryesor për problemet tekniko-organizative të Këshillit Kombëtar dhe të Aparatit të tij. Ai duhet të jetë farmacist.

Sekretari i Përgjithshëm permbush këto detyra:

1.       Kujdeset për krijimin, organizimin e drejtimin e komisioneve e grupeve të punës dhe kontrollon veprimtarinë e tyre, ose, sipas rastit edhe i kyeson ato. Në mënyrë të veçantë kujdeset për hartimin e projektit të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Farmaceutike, si dhe të të gjitha rregulloreve të tjera për veprimtaritë e organeve të Këshillave të Urdhrit dhe të aparatit qendror.

2.       Mban kontakte me këshillat rajonale dhe koordinon veprimtarinë e tyre.

3.       Përgatit dokumentacionin për mbledhjet e Këshillit Kombëtar, të Bordit Drejtues dhe të komisioneve e grupeve të punës.

4.       Mban kontakte me organizmat qeveritare dhe jo qeveritare të vendit dhe të huaja.

5.       Raporton dhe informon sistematikisht Presidentin dhe Këshillin Kombëtar.

 

Neni 28

Këshillat  Rajonale

 

Këshillat Rajonale krijohen sipas ndarjes administrato-territoriale në bazë Prefekture (Qarku).

Këshilli Rajonal përbëhët nga:

1.       3-5 anëtarë të zgjedhur nga Asambleja Rajonale me votim të fshehtë mbi kanditatura alternative, sipas kritereve të parashikuara në nenin 28. Këshilli Kombëtar i Tiranës përbëhet nga 19 anëtarë.

2.       Një farmacist nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky ka të drejtë vote këshillimore.

3.       Anëtarë të kooptuar nga vetë këshilli për zëvendësim lëvzjesh të mundshme të Këshillit  Rajonal.

Për mbarëvajtjen  e Urdhrit në përmbushjen e misionit dhe funksioneve të tij, në këshill mund të zgjidhen përfaqësues nga publiku, me të drejtë vote këshillimore.

Këshilli Rajonal zgjedh presidentin dhe zëvendësin e tij. Mandati i presidentit është 4 vjeçar, me të drejtën e një rizgjedhjeje. Këshilli Rajonal emëron dhe shkarkon sekretarin e tij, i cili mund të jëtë  farmacist, jurist ose ekonomist.

Për të përmbushur funksionet dhe detyrat e tij Këshilli Rajonal:

1.       Krijon dhe mban të azhurnuar regjistrin e farmacistëve, si dhe pasqyron licensimin dhe rilicensimin profesional të farmacistëve në juridiksionin e vet dhe të shërbimeve farmaceutike private të vendit dhe të huaja, të hapura në rajonet përkatëse.

2.       Siguron zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të  Këshillit Kombëtar dhe të detyrave të ngarkuara nga Presidenti.

3.       Kryen veprimtaritë për njohjen dhe ndërgjegjësimin e farmacistëve të juridiksionit të tij me aktet normative, misionin, synimet, funksionet dhe detyrat e Urdhrit.

4.       Analizon periodikisht veprimtaritë e Urdhrit dhe organizmave të tij në rajon.

5.       Zgjedh Komisionin Disiplinor në bazë të kritereve të posaçme, si dhe komisione dhe grupe të tjera pune.

6.       Ndërgjegjëson dhe informon publikun e juridiksionit për funksionin dhe kompetencat e Urdhrit, me veprimtari të drejtpërdrejta me kontigjente të publikut ose nëpërmjet mediave.

7.       Përfaqëson dhe mbron interesat e përbashkëta legjitime të profesionit të farmacistëve dhe deklaron publikisht opinionet e tij për ngjarje e situata të veçanta farmaceutike e mjekësore  në rajon.

8.       Organizon punën në juridiksion për mbledhjen e kuotizacioneve dhe të detyrimeve të tjera të anëtarëve.

9.       Organizon bashkëpunimin me organizmat qeveritare dhe joqeveritare brenda rajonit, vendit dhe jashtë tyre.

10.   I propozon Këshillit ose Presidentit të Këshillit Kombëtar për probleme e nisma, që i quan të domosdoshme për të rritur standartet e shërbimit në rajonin e vet ose më gjerë.

11.   Merr pjesë në organizimin dhe zhvillimin e veprimtarive studimore, shkencore dhe kualifikuese të farmacistëve të rajonit ose më gjerë.

12.   I propozon Këshillit ose Presidentit të Këshillit Kombëtar për dekorime, vlerësime, shpërblime, si dhe për ndihma në raste fatkeqësish për anëtarët e Urdhrit në juridiksion.

 

Neni 29

Thirrja e Keshillave Rajonale

 

Këshilli Rajonal thirret në mbledhjen e tij nga Presidenti ose, në mungesë të tij, nga zëvëndëspresidenti.

Mbledhjet e Këshillit duhet të  bëhen jo më pak se 4 herë në vit. Kur gjykohet e nevojshme, thirret mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit, por vetëm me miratim nga Presidenti i Këshillit Kombëtar.

 

Neni 30

Kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar ose të Këshillave Rajonale.

 

Kandidaturat për anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe të Këshillave Rajonale zgjidhen ndër farmacistët më të dalluar për përkushtimin, aftësitë dhe autoritet profesional.Përzgjedhja bëhet duke u orientuar nga këto kritere kryesore:

1.       Të jetë shtetas shqiptar.

2.       Të ketë mbushur moshën 25 vjeç.

3.       Të ketë mbi 2 vjet i regjistruar në Urdhrin e Farmacistëve.

4.       Të ketë reputacion etiko-moral dhe prestigj profesional.

5.       Të ketë shfaqur korrektësi në zbatimin e normave, ligjeve dhe rregullave të jetës shoqërore, si dhe në komunikimin me publikun, pacientët, kolegët dhe me drejtuesit.

6.       Mundësisht të jetë aktivizuar në veprimtari studimore dhe kualifikuese, publikuese farmaceutike dhe shëndetësore.

7.       Mundësisht të ketë grada e tituj  shkencorë ose veprimtari pedagogjike.

8.       Të mos ketë kryer vepra penale si dhe, gjatë 3 vjetëve të fundit, të mos jetë ndëshkuar për shkelje të ushtrimit të profesionit.

9.       Të mos jetë i zgjedhur apo i emëruar në detyra funksionale drejtuese shtetërore.

Mënyrat e përzgjedhjes përcaktohen edhe në rregulloren e Këshillave të Urdhrit.

 

 

Neni 31

Largimi i parakohshëm nga Këshilli

 

Anëtari i Këshillit Kombëtar dhe atij Rajonal largohet para kohe nga këshilli kur:

1.       Kërkon vetë dorëheqjen.

2.       Dënohet me vendim të formës së prerë për vepra penale apo për shkelje në ushtrim të profesionit ose shkelje administrativo-disiplinore.

3.       Shpërdoron detyrën.

4.       Mungon tri herë radhazi